19/10/2021
Një punë e shkëlqyer nga Amanita, mikesha jonë, e cila këtë verë i ka kushtuar 3 orë nga koha e saj pastrimit të një zone turistike në Himarë.
Për më shumë ndiqni artikullin që ka shkruar.
Amantia
"Jemi popull që dimë të mbijetojmë në kohë trazirash, por nuk dimë të jetojmë në kohë paqeje!
Edhe sivjet nuk ishte e mundur të mos vija në Shqipëri. Ka ç'ka, ai vend është një magnet i parezistueshëm. Por si çdo gjë për të cilën njëriu ka adhurim edhe pritshmëritë janë të larta.
Por pritshmëritë sivjet, me pak përjashtime, nuk u përmbushën. Sivjet më shumë se më herët, kudo kudo në jug të Shqipërisë përgjatë bregdetit e deri tek skutat më të thella malore ku shkel këmba e bariut më vetmitar shihje mbeturina, mbeturina e vetëm mbeturina.
Pamjet që të kapte syri ose më mirë po përdor fjalët e një turisteje gjermane në Shqipëri, pamjet që ti djegin sytë, ishin ato të mbeturinave. Shishe, shishe plastike kudo, kudo ku ktheje kokën. Shishe plastike të hedhura përgjatë shëtitoreve, shishe plastike të hedhura buze trotuareve, mbeturina te hedhura afër por jashtë kazaneve të plerave. Kutërbime mbeturinash në zona që paradoksalisht mbijetonë vetëm falë turizmit. Mbeturina në zona që pretendojnë të mos presin vetëm turistë shqiptarë, por sidomos turistë të huaj. Pyetja që vjen natyrshëm është:
"Si munden operatorët turistikë të kërkojnë turizëm cilësor dhe që është i gatshëm të paguajë, kur minimalisht shiriti i rruges ose i shetitores përballe secilit operator turistik eshte një pirg plehrash?".
Dhermiu, Qeparoja, Himara dhe shumë e shumë vende të ngashme pergjatë bregdetit shqiptar më shumë se vende turistike i ngjasonin p*kave te mbledhjes së mbeturinave. E vetmja që vazhdon t'i japë këtyre vendeve epitetin "turistik" është të ndodhurit afër detit. Kjo sepse pislliku, "hotelet" gjysmë të ndërtuara ngjitur e ngjitur dhe mungesa e ofertave për jetë turistike, nuk janë ajo qe turistët vendas dhe të huaj presin në një vend europian ne vitin 2021!
Në këtë postim po përqëndrohem tek Himara. Ky fshati turistik pranë detit fatekeqësisht pluskon mbi mbeturina. Vetem shkallaret prane portit të Himarës aty ku dhe është ndërtuar një hotel luksoz, janë një kazanë i vertetë plehrash. Shkallët të çojnë te një kamp nënpronë shtetërore dhe tek një shkollë. Sasia e mbeturinave vetëm përgjatë ketyre 300 m shkallë ishte e papërshkrueshme. Situata rëndohej teksa lije shkallet dhe dilje në truallin e një shtëpie ku mbeturinave i shtoheshin bidonat 6 apo 7 litersh dhe mbetje pajisjesh shtëpiake.
M'u deshën 3 orë për të pastruar ato shkallë dhe çdo gjë rrotull ku më arrinte dora. Mbeturinat ishin hedhur edhe mbas rrethimit të shkallëve ku nuk mund të arrija dot. Nga ato tre orë pastrim u bën plot 5 qese e gjysmë 170 litërshe.
2 qese e gjysmë 170 L ishin mbushur me shishe plastike të shtypyra, 2 qese e gjysmë me mbeturina të përziera, dmth ushqime, qese dhe paketime patatinash e moltosh. Ndërkohë një çerek qese 170 L u mbush me kanoçe alumini. Kjo "statistikë" e vogël mbetjesh urbane nxorri në pah tre çështje-probleme thelbësore:
1.Mbi 50% e mbeturinave që qarkullonë në Shqipëri janë të riciklueshme. Këtu përfshihen shishet plastike dhe kanoçet prej alumini. Pra, nëse shteti do vepronte duke vendosur një sistem ku dorëzimi i këtyre mbetjeve të bëhej në këmbim të një vlerë të vogël monetare, shishet dhe kanoçet nuk do gëlonin kudo ku të shesh syri. Ato do mblidheshin në p*ka të caktuara dhe më tej dergoheshin kompanive ricikluese të plastikës të shpërndara nëpër Shqipëri të cilat kanë tashmë vite që operojnë nën kapacitet (rreth 25% të kapacitetit).
2. Një pjesë e madhe e mbeturinave janë paketime patatitash dhe moltosh. Këto janë mbeturina produktesh që konsumohen masivisht mes fëmijëve. Kjo vërejtje ngre një shqetësim të madh në lidhje me përgjegjësinë qytetare për manaxhimin e mbetjeve urbane. Femijët, shtresa më e ndjeshme e shoqerisë, por njëkohësisht shtresa që mëson me shpejtë dhe automatikisht është e ardhmja e Shqipërisë, po trashëgon sjelljet e papërgjegjsme të një brezi të papërgjegjshëm prindërish që me faji apo pa faji janë jo vetëm indiferent ndaj temës së mbeturinave, por nuk e shohin ndotjen urbane aspak si problem. Në momentin kur në familje nuk diskutohet problemi i ndotjes dhe ambientit, e vetmja hapësirë për femijët për të patur akses mbi këtë temë është shkolla. Sistemi jonë shkollor është edhe këtu gjysmë shekulli prapa. Një sistem i trashëguar nga një kohë, kur shishet e "CocaColes' përdoreshin si zbukurime nëpër shtëpi dhe ku termi mbetje "urbane" ishte i panjohur. Nje sistem arsimor, i cili jo vetëm nuk ka kapital njerëzor për të futur nëpër shkolla temën e mbetjeve urbane, por mbetet i përfshirë nëpër vorbullat e politikës e kështu po nxjerrë breza fëmijësh dhe të rinjsh indiferentë, të cilët sot janë ndotësit dhe indiferentët e një katastrofe ambientale në Shqipëri.
3. Mbi 50% e mbeturinave të mbledhura janë plastikë. Mikroplastika është shkaktare i disa problemeve shëndetësore, si përshembull:
a) Uljen e fertilitetit tek meshkujt, pasi mikroplastika vepron si hormon femeror i estrogjenit
b) helmim në afatgjatë
c)rritjen e rrezikut përsemundje kancerogjene
Mikroplastikën e kemi kudo edhe në trupin tonë. Sa herë ju pini lëngje si uji, birrë, lëngje frutash, qumësht nga shishe plastike ju njëkohësisht gëlltisni mikroplastikë. Konsumi i produkteve nga mbajtëse plastike është rritur në mënyre eksponenciale në Shqiperi sidomos në dhjetëvjeçarin e fundit. Efektet e këtij trendi të rrezikshëm shihen jo vetëm me sy në çdo cep ku shkel shqiptari, por ato përkthehen edhe në statitika shqtësuese sëmundjesh tumorale me origjinë të paqartë.
Mobilizimi serioz i institucioneve e bizneseve vendore nga njëra anë, por dhe i individeve nga ana tjetër është parakusht për një shoqëri dhe shtet normal. Ndërkohë që mund të ketë deri diku justifikim problematika e mbeturinave në zona vështirë të arritshme... Është e pajustifikueshme se si fshatra turistike ku çmimet ne sezon arrijnë stratosferën dhe ku infrastruktura është relativisht e mirë, të ketë një manaxhim aq të dobët të mbetjeve urbane.
Ky është rast i pastër i anashkalimit të përgjegjësive institucionale!"