12/06/2026
Si mbahet gjallë një regjim që nuk bind më, por ende fiton?
Pyetja nuk është më pse fiton Partia Socialiste. Pyetja e vërtetë është: si mbahet gjallë politikisht një sistem që ka lodhur edhe ata që e votojnë?
Përgjigjja nuk gjendet te filozofia e madhe politike. Gjendet te matematika e thjeshtë shqiptare: administratë, varësi ekonomike, familje të lidhura me rrogën e shtetit, patronazh, votë e kontrolluar, media të kapura, opozitë e konsumuar dhe një kod zgjedhor që i jep pushtet edhe pakicës më të organizuar kundër shumicës më të lodhur.
Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2024 administrata publike kishte 182,430 të punësuar. Kjo nuk është shifër politike. Është shifër zyrtare. Dhe pikërisht këtu fillon problemi. Sepse në një vend ku popullsia është tkurrur nga emigracioni, ku shërbimet publike janë dixhitalizuar, ku certifikatat, dokumentet, aplikimet dhe shumë shërbime kryhen online, administrata nuk zvogëlohet. Përkundrazi, fryhet. Në vitin 2025, raportimet mbi të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se administrata arriti mesatarisht rreth 185 mijë punonjës, niveli më i lartë prej vitit 2002.
Pra, pyetja është e thjeshtë: pse një shtet me më pak popullsi dhe më shumë shërbime online ka nevojë për më shumë administratë?
Përgjigjja është po aq e thjeshtë: sepse administrata nuk është më vetëm administratë. Është trupë elektorale. Është rezervë votash. Është sigurim politik. Është ushtria civile e pushtetit, e paguar me taksat e qytetarëve.
Në një shtet normal, administrata i shërben qytetarit. Në Shqipërinë e tranzicionit të përhershëm, administrata shpesh i shërben partisë. Punonjësi publik nuk shihet vetëm si profesionist, por si votë. Jo vetëm si votë individuale, por si qendër presioni familjar: bashkëshorti, prindërit, fëmijët madhorë, vëllezërit, motrat, kushërinjtë, miqtë, madje edhe diaspora.
Shumë shqiptarë jashtë vendit e njohin mirë këtë skenë. Telefoni para zgjedhjeve nuk bie nga malli. Bie nga detyra partiake. Dikush që punon në bashki, në drejtori, në institucion apo në administratë të kërkon “një nder”. Dhe ky “nder” nuk është kafe. Është votë. Është vota jote, vota e familjes, vota e diasporës, vota që i duhet partisë për të vazhduar të sillet sikur shteti është pronë private.
Nëse 185 mijë punonjës administrate llogariten vetëm si individë, analiza është e mangët. Sepse në praktikën shqiptare presioni politik nuk ndalet te punonjësi. Ai zgjatet te familja. Nëse secili prej tyre sjell minimalisht dy apo tre vota rreth vetes, atëherë administrata shndërrohet në një bllok elektoral shumë më të madh se vetë numri zyrtar. Në këtë mënyrë, pushteti nuk ka nevojë të bindë shumicën e shqiptarëve. I mjafton të mobilizojë varësinë.
Këtu futen edhe votat tradicionale të PS-së, pensionistët që votojnë nga zakoni, qytetarët që votojnë nga frika se mos humbin një ndihmë, ata që shesin votën për një thes mielli, bizneset që nuk duan probleme me inspektorët, grupet kriminale që kontrollojnë zona të caktuara, komisionerët që dinë të mbyllin sytë dhe, mbi të gjitha, një opozitë që prej vitesh duket më shumë si pjesë e arkitekturës së sistemit sesa si alternativë reale për ta rrëzuar atë.
Kështu ndërtohet pushteti: jo me dashuri popullore, por me mekanikë klienteliste.
Zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 e treguan qartë këtë krizë. Sipas KQZ-së, të zgjedhjeve për Kuvendin 2025 përfshin të dhënat mbi pjesëmarrjen, rezultatet dhe votuesit nga jashtë. Pjesëmarrja brenda vendit ishte rreth 40%. Pra, shumica e qytetarëve me të drejtë vote nuk morën pjesë. Kjo do të thotë se pushteti u vendos nga pakica aktive, e mobilizuar, e organizuar dhe shpesh e varur.
Atëherë pyetja morale është: çfarë ndodh me 60% të tjerë?
A janë indiferentë? A janë të zhgënjyer? A janë larguar? A janë në emigracion? A janë në shesh? A janë ata shqiptarët që nuk besojnë më as te Rama, as te Berisha, as te Meta dhe lali Eri, as te teatri i vjetër i tranzicionit?
Sepse kur 60% e trupës elektorale nuk merr pjesë në çdo zgjedhje, problemi nuk është vetëm teknik. Është politik. Është krizë përfaqësimi. Është shenjë se shteti ka humbur lidhjen morale me qytetarin.
Pastaj vjen vota e diasporës, që e bën situatën edhe më absurde.
Diaspora shqiptare është krijuar në masë nga dështimi i këtij sistemi: korrupsioni, mungesa e meritokracisë, kapja e shtetit, varfëria, arroganca e pushtetit, mungesa e drejtësisë dhe mungesa e shpresës. Logjikisht, diaspora duhej të ishte forca më e lirë dhe më ndëshkuese ndaj establishmentit PS-PD. Por rezultatet zyrtare dhe raportimet mbi tabelat e KQZ-së treguan një rezultat krejt tjetër me një pjesëmarrje 80%: ku, PS-PD marrin rreth 85% të votave, dhe 61% i merr PS.
Pra, dy partitë kryesore të tranzicionit morën bashkë pjesën dërrmuese të votës së diasporës.
Kjo nuk është thjesht çudi. Është alarm politik.
Si ka mundësi që njerëzit që janë detyruar të ikin nga vendi të votojnë në masë për partitë që prodhuan arsyet e largimit të tyre? Si ka mundësi që diaspora, e cila ekonomikisht është më e lirë nga presioni i administratës shqiptare, të sillet elektoralisht sikur është ende nën hijen e bashkisë, drejtorisë, patronazhistit dhe listës së partisë?
Këtu duhen përgjigje, jo përralla. Duhet auditim i plotë i procesit të votës së diasporës. Duhet transparencë për regjistrimin, dërgimin, kthimin, ruajtjen, verifikimin dhe numërimin e çdo zarfi. Duhet sqaruar pse qindra mijëra shqiptarë jashtë vendit nuk u përfshinë realisht në proces, ndërsa pjesa që votoi prodhoi një rezultat që duket sikur diaspora nuk jeton në Londër, Milano, Athinë, Bruksel apo New York, por në korridorin e ndonjë bashkie shqiptare.
Ironia është e hidhur: shteti i largon shqiptarët nga vendi, pastaj u kërkon votën nga jashtë për të vazhduar t’i largojë të tjerët.
Por goditja më e rëndë ndaj legjitimitetit moral të sistemit vjen nga zgjedhjet e pjesshme vendore të vitit 2025.
KQZ ka publikuar faqen zyrtare të pjesëmarrjes për zgjedhjet e pjesshme vendore të datës 9 nëntor 2025 në bashkitë Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë. Në Vlorë dhe Berat, dy qytete të rëndësishme dhe historikisht me peshë politike, pjesëmarrja ra në nivele dramatike: rreth 12% në Vlorë dhe rreth 19% në Berat, sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së.
Këtu nuk kemi më vetëm problem elektoral. Kemi problem etik. Kemi problem moral. Kemi problem ekzistencial të shtetit-kombit.
Si ka mundësi që 12% e qytetarëve të vendosin për 88% të tjerë? Po sikur këta 12% në Vlorë të na ishin minoritarë grekë çfarë do ndodhte? Dhe mos mendoni se shteti ynë fqinj Greqia që na e do të mirën aq shumë me anën e ligjit të luftës, nuk kursehet në dashuri as me marrjen e detit, apo presione gjeopolitike për futjen në BE, fle gjumë.
Si mundet një kryetar bashkie me një pjesëmarrje kaq të ulët të vendosë për tokën publike, bregdetin, pyjet, lagunat, zonat e mbrojtura, buxhetin vendor, lejet e ndërtimit, investitorët strategjikë, shpronësimet, projektet turistike, pronën private dhe të ardhmen e një qyteti?
Ligjërisht, sistemi mund ta quajë të vlefshme. Moralisht, dhe kombëtarisht është bosh.
Një pushtet që del nga 12% pjesëmarrje nuk ka mandat moral për të sh*tur, dhënë, transferuar apo transformuar pasuritë publike. Nuk ka mandat moral për të vendosur mbi pasuri kombëtare. Nuk ka mandat moral për të folur në emër të qytetit, kur qyteti nuk ka folur.
Ky është thelbi i krizës shqiptare: pushteti është legal, por gjithnjë e më pak legjitim. Ka vula, por jo besim. Ka mandate, por jo përfaqësim. Ka media, por jo të vërtetë. Ka opozitë, por jo alternativë. Ka zgjedhje, por jo garë të barabartë. Ka institucione, por jo shtet-komb të qytetarëve.
Edi Rama nuk është thjesht kryeministër i këtij sistemi. Ai është produkti më i rafinuar i tij. Ai e ka kuptuar më mirë se të gjithë se në Shqipëri nuk të duhet të bindësh popullin. Të duhet të kontrollosh administratën, të neutralizosh opozitën, të kapësh mediat, të ushqesh oligarkët, të menaxhosh ndërkombëtarët, të përdorësh spektaklin, dhe të kthesh çdo krizë morale në debat televiziv.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike nuk mund të sillet si viktimë e pafajshme. PD është pjesë e këtij sistemi. Ka qenë në pushtet, ka bërë kod zgjedhor, ka ndërtuar klientelizëm, ka prodhuar zhgënjim, ka humbur besimin dhe shpesh ka shërbyer si opozitë fasadë. Kur opozita nuk ngjall shpresë, pushteti nuk ka nevojë të jetë i mirë. I mjafton të jetë më pak i frikshëm se alternativa.
Ky është pazari i vjetër shqiptar: PS dhe PD si dy krahë të së njëjtës klasë politike të trashëguar komuniste, që shahen në publik, por mbajnë gjallë një sistem që u shërben të dyjave. Njëra qeveris me arrogancë. Tjetra opoziton me lodhje. Të dyja kërkojnë që shqiptarët të zgjedhin mes së keqes së njohur dhe së keqes së konsumuar.
Prandaj protesta nuk duhet parë si episod. Nuk është thjesht për një projekt, një investitor, një lagunë, një ishull apo një aferë. Është revoltë ndaj mënyrës se si shteti është privatizuar nga partitë, oligarkët, klientela dhe administrata elektorale.
Zgjidhja nuk është rotacioni i radhës. Shqipëria nuk ka nevojë vetëm të ndërrojë shoferin e makinës së prishur. Duhet ndërruar motori, sistemi, rregullat dhe pronësia morale e shtetit.
Prandaj disa nga kërkesat dhe idetë fillestare ne i kemi ndarë si më poshtë (të tjerat në vazhdimësi dhe më detaje të formuluara nga grupe ekspertësh):
https://www.facebook.com/share/p/1HMzXXRhkQ/
https://www.facebook.com/share/p/17xwMk7YbG/
https://www.facebook.com/share/p/19168rdsGY/
Kërkesa të tjera që duhen marrë në konsideratë nga grupet e ekspertëve për tu analizuar:
Së pari, duhet reformë e thellë zgjedhore: prag minimal pjesëmarrjeje për zgjedhjet vendore, auditim i plotë i votës së diasporës, numërim i kontrollueshëm, depolitizim i komisioneve, ndalim real i përdorimit të administratës në fushatë dhe hetim penal për presionin mbi punonjësit publikë.
Së dyti, administrata duhet çliruar nga partitë. Çdo punësim publik duhet të bëhet me meritë, konkurs, performancë dhe kontroll të pavarur. Administrata nuk mund të jetë magazinë votash. Nuk mund të jetë repart elektoral. Nuk mund të jetë vend ku qytetari paguan me taksa militantin që nesër i kërkon votën.
Së treti, duhet ligj i fortë për referendume lokale dhe kombëtare mbi pasuritë strategjike. Bregdeti, ishujt, lagunat, pyjet, uji, zonat e mbrojtura dhe toka publike nuk mund të kalojnë nga zyra e kryeministrit te “investitori strategjik” me një firmë dhe një buzëqeshje televizive.
Së katërti, diaspora duhet të ketë përfaqësim real. Jo thjesht të votojë me zarfe që pastaj i numërojnë të njëjtët aktorë të vjetër. Diaspora duhet të ketë lista të veçanta, kandidatë të vetët, auditim të procesit dhe rol të drejtpërdrejtë në rindërtimin e shtetit shqiptar.
Së pesti, në një krizë kaq të thellë përfaqësimi, duhet diskutuar seriozisht një qeveri teknike kombëtare me mandat të kufizuar të sugjeruar në kërkesat më sipër: reformë zgjedhore, pastrim të administratës nga presioni partiak, auditim të koncesioneve dhe projekteve strategjike, pezullim të vendimeve të dyshimta për pasuritë publike dhe përgatitje të zgjedhjeve të lira.
Së gjashti, duhet një lëvizje e re kombëtare, qytetare dhe profesionale. Jo partiçkë radhe. Jo riciklim i fytyrave të vjetra. Jo të njëjtët që kanë 30 vjet që shesin dështimin si përvojë. Shqipëria ka nevojë për ekspertë, juristë, ekonomistë, inxhinierë, mjedisorë, pedagogë, diasporë, të rinj dhe qytetarë që nuk kanë jetuar nga tenderi, koncesioni, leja, partia dhe pazari.
Shqipëria nuk mund të shpëtohet nga ata që e kanë mbajtur peng. Nuk mund të reformohet nga ata që përfituan nga deformimi. Nuk mund të pastrohet nga ata që ndërtuan baltën.
Prandaj pyetja nuk është më vetëm: si mbahet gjallë ky regjim?
Pyetja është: sa gjatë do ta lejojmë ne të mbahet gjallë me taksat tona, me heshtjen tonë, me emigrimin tonë, me indiferencën t¯onë dhe me frikën tonë?
Sepse një pushtet që fiton me administratë, varësi, media të kapura, opozitë të dobët, diasporë të pavlerësuar politikisht dhe pjesëmarrje minimale, mund të ketë numra.
Por nuk ka më shpirt.
Dhe kur një pushtet humb shpirtin e popullit, çdo fitore e tij është diktatura e saj e fundit.
* Të dhënat janë nga Instat dhe KQZ, disa të dhëna janë përafruar me marzh gabimi 0.2% për efekt artikulli që të jenë të plota.
Nga: Alban Korça ( kanë ndihmuar edhe kolegë të tjerë)
KËRKESA 2: Kërkesa kryesore për rivendosjen e besimit publik, përgjegjshmërisë shtetërore dhe reformimit të administratës
1. Dorëheqja e Kryeministrit dhe kabinetit aktual
Kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të Kryeministrit dhe të kabinetit aktual qeveritar si hapi i parë i domosdoshëm për rivendosjen e besimit publik, uljen e tensionit shoqëror dhe hapjen e rrugës për hetim të plotë, të pavarur dhe të paanshëm mbi veprimtarinë qeverisëse.
Kjo dorëheqje duhet të pasohet nga krijimi i një qeverie teknike, me mandat të kufizuar, të qartë dhe të kontrollueshëm publikisht, e përbërë nga ekspertë të fushave kyçe të administrimit shtetëror që skanë qenë pjesë e jetës politike apo lidhje me të më parë, ekonomisë, drejtësisë, energjisë, sigurisë, arsimit, mjedisit dhe reformës institucionale.
Qeveria teknike duhet të ketë si mision kryesor stabilizimin institucional, garantimin e funksionimit të shtetit, përgatitjen e reformave themelore dhe krijimin e kushteve për një proces të besueshëm demokratik.
2. Krijimi i një mekanizmi publik për përzgjedhjen e ekspertëve
Kërkojmë ngritjen e një procesi transparent, gjithëpërfshirës dhe të verifikueshëm publikisht për përzgjedhjen e grupit të ekspertëve që do të propozohet për drejtimin e qeverisë teknike. Profilet e këtyre ekspertëve duhet të jenë publike në një platformë, ku qytetarët kanë mundësi të bëjnë komente dhe sugjerime për çdo profil, dhe këto të merren në konsideratë gjatë përzgjedhjes.
Ky proces duhet të organizohet përmes një platforme online të sigurt, të auditueshme dhe të hapur për pjesëmarrjen e shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, nën mbikëqyrjen e një Asambleje Mbarëkombëtare “Shqipëria e Lirë”, me pjesëmarrje të ekspertëve të pavarur, përfaqësuesve të diasporës, shoqërisë civile pa lidhje politike dhe vëzhguesve ndërkombëtarë.
Qëllimi i këtij mekanizmi është krijimi i një administrimi teknik me legjitimitet qytetar, integritet profesional dhe përgjegjshmëri publike.
3. Krijimi i një Byroje të Pavarur Hetimore për koncesionet, lejet dhe asetet publike
Kërkojmë krijimin e një Byroje të Pavarur Hetimore, të përbërë nga ekspertë shqiptarë dhe ndërkombëtarë, me mbështetje teknike nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për hetimin e plotë të koncesioneve, lejeve, privatizimeve, tenderave, partneriteteve publike-private, investimeve strategjike dhe çdo forme tjetër të transferimit apo shfrytëzimit të pasurisë publike gjatë 35 viteve të fundit.
Kjo byro duhet të ketë mandat të qartë për të shqyrtuar:
• koncesionet dhe kontratat publike me ndikim të lartë ekonomik;
• lejet ndërtimore dhe zhvillimore në zona të mbrojtura, bregdetare, urbane dhe strategjike;
• privatizimet dhe transferimet e aseteve shtetërore;
• vendimet qeveritare që kanë favorizuar grupe të caktuara interesi;
• përfitimet e paligjshme të oligarkëve, zyrtarëve publikë dhe subjekteve private;
• dëmin ekonomik të shkaktuar ndaj shtetit, qytetarëve dhe pasurisë kombëtare.
Në rastet kur konstatohet paligjshmëri, korrupsion, përfitim i padrejtë apo dëm ekonomik, dosjet duhet t’u referohen menjëherë organeve kompetente të drejtësisë për ndjekje penale, konfiskim pasurie dhe rikuperim të dëmit në favor të buxhetit publik të qeverisë teknike.
4. Konfiskimi i pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme
Kërkojmë identifikimin, bllokimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e të gjitha pasurive, llogarive bankare, aksioneve, pronave, kompanive dhe përfitimeve financiare të krijuara përmes korrupsionit, shpërdorimit të detyrës, klientelizmit politik, kapjes së shtetit apo tjetërsimit të pronës publike.
Të gjitha asetet e konfiskuara pas vendimit përkatës të organeve kompetente duhet të kalojnë në një fond të posaçëm publik, nën administrimin e qeverisë teknike dhe me mbikëqyrje të pavarur, për t’u përdorur vetëm për investime urgjente dhe të domosdoshme në sektorët publikë: shëndetësi, arsim, infrastrukturë, energji, bujqësi, siguri kombëtare, drejtësi dhe mbrojtje të mjedisit.
5. Krijimi i Byrosë së Hetimit Administrativ
Kërkojmë ngritjen e një Byroje të Hetimit Administrativ me mandat të posaçëm për auditimin e plotë të administratës publike, institucioneve shtetërore, agjencive, ndërmarrjeve publike dhe strukturave të varësisë qeveritare.
Kjo strukturë duhet të analizojë:
• eficiencën e administratës publike;
• punësimet politike dhe klienteliste;
• abuzimet me detyrën;
• konfliktet e interesit;
• përfshirjen e zyrtarëve në skema korrupsioni;
• përfitimet e paligjshme direkte ose indirekte;
• performancën reale të punonjësve publikë;
• mbivendosjen e funksioneve dhe shpenzimet e panevojshme administrative.
Në rastet kur provohet përfshirje në korrupsion, abuzim me detyrën ose përfitim i paligjshëm, çështjet duhet t’u referohen organeve të drejtësisë për ndjekje ligjore, sekuestrim të aseteve dhe rikuperim të dëmit ekonomik.
6. Reformim i thellë i administratës publike
Kërkojmë nisjen e një reforme të thellë, profesionale dhe transparente në administratën publike, me qëllim çlirimin e saj nga militantizmi partiak, nepotizmi, korrupsioni dhe paaftësia institucionale.
Punonjësit që nuk përmbushin kriteret profesionale, që janë emëruar për arsye politike, që nuk kanë performancë të matshme ose që kanë qenë pjesë e praktikave abuzive, duhet të largohen nga administrata në përputhje me ligjet e reja për administratën publike dhe me procedurë të rregullt administrative.
Administrata publike duhet të ndërtohet mbi parimet e meritës, profesionalizmit, integritetit, eficiencës, transparencës dhe shërbimit ndaj qytetarit, jo mbi besnikërinë partiake.
7. Qëllimi strategjik: krijimi i shtetkombit funksional të shqiptarëve
Këto masa nuk kanë si qëllim ndërrimin formal të pushtetit, por rindërtimin e shtetit mbi themele të reja: sovranitet qytetar, drejtësi funksionale, administratë profesionale, ekonomi të ndershme, mbrojtje të pronës publike dhe private, si dhe përgjegjësi reale për çdo vendimmarrës publik.
Objektivi përfundimtar është krijimi i një shtetkombit funksional të shqiptarëve, ku pushteti buron nga qytetarët, pasuria publike mbrohet nga ligji, administrata i shërben kombit dhe çdo qeveri mban përgjegjësi përpara popullit dhe drejtësisë.