05/06/2026
AAKV “Kastriotët” organizon Manifestim Memorial kushtuar koreografit Bajram Tahiri
Ferizaj do të jetë mikpritës i një ngjarjeje të veçantë kulturore dhe përkujtimore, organizuar nga Ansambli i Arteve dhe Këngëve e Valleve “Kastriotët”, në nderim të koreografit të mirënjohur Bajram Tahiri, një prej figurave që la gjurmë të pashlyeshme në ruajtjen, kultivimin dhe promovimin e folklorit shqiptar.
Manifestimi memorial do të mbahet më 11 qershor 2026, duke filluar nga ora 20:00, në platonë pranë Shkollës së Mesme Profesionale “Zenel Hajdini” në Ferizaj.
Ky aktivitet përkujtimor synon të nderojë jetën dhe veprën e Bajram Tahirit, i cili me përkushtimin, talentin dhe punën e tij shumëvjeçare kontribuoi në zhvillimin e artit skenik, vallëzimit folklorik dhe edukimit të brezave të rinj në frymën e traditës sonë kombëtare.
Përmes këtij manifestimi, AAKV “Kastriotët” sjell një homazh të denjë për një personalitet që ia kushtoi jetën kulturës shqiptare, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar artistike dhe njerëzore.
Ftohen qytetarët, artdashësit, ish-bashkëpunëtorët, familjarët dhe të gjithë ata që e vlerësojnë kulturën dhe traditën shqiptare të marrin pjesë në këtë mbrëmje përkujtimore, për të nderuar kujtimin e një prej emrave më të respektuar të folklorit tonë.
Pjesëmarrja juaj do të jetë një shenjë respekti për veprën dhe trashëgiminë që Bajram Tahiri la pas për kulturën shqiptare.
Mirë se vini!